BERZH është duke ofruar një kredi prej €2 milion Euro për Kreditimin Rural të Kosovës (KrK), institucioni i tretë më i madh mikrofinanciar në Kosovë, për mbështetjen e mëtutjeshme të financimit të ekonomisë së gjelbër.
Fondet do të jepen në formë të kredive për kredimarrësit nga sektori rezidencial për investime në teknologji që do të reduktojnë intensitetin e shfrytëzimit të energjisë dhe përmirësojnë efiçencën e energjisë sipas qasjes së BERH për Tranzicionin në Ekonomi të Gjelbër (Green Energy Transition – GET). Përmes këtyre investimeve, amvisëritë jo vetëm se do të rrisin efiçencën e energjisë, mirëpo gjithashtu do të reduktojnë emetimet e gazrave serë, duke reduktuar kështu ndikimin në mjedis.
Kredia e fundit është dhënë në kuadër të Mekanizmit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor (Green Economy Financing Facility – GEFF), mekanizëm rajonal i krijuar për mbështetjen e investimeve të efiçencës së energjisë në sektorin rezidencial të Ballkanit Perëndimor. Mekanizmi mbështetet përmes granteve nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian (BE) dhe Austria.
Charlotte Ruhe, Drejtoreshë Menaxhuese e BERZH për Evropën Qendrore dhe Juglindore tha: “Jemi shumë të kënaqur që po nënshkruajmë këtë marrëveshje të huadhënies me KrK sot. Kjo shënon fillimin e një etape të re të bashkëpunimit tonë si dhe për Kosovën poashtu. Falë bashkëpunimit me KrK, përpjekjet tona për mbështetjen e investimeve të gjelbra do të zgjerohen më shumë, duke iu falënderuar përvojës së konsiderueshme dhe kapacitetit të partnerit tonë për projekte të gjelbra. Kjo është posaçërisht e rëndësishme duke qenë se efiçenca e energjisë dhe kursimet e energjisë janë jetike për rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të qëndrueshëm të Kosovës.”
Luigi Brusa, Udhëheqës i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE në Kosovë tha: “Rëndësia e investimeve në efiçencë të energjisë është që të ndihmohet Kosova në implementimin e planit shtetëror për efiçencë të energjisë sipas kërkesave të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Zhvillimi i qëndrueshëm energjetik është prioritet i lartë në politikat Evropiane. Rritja e efiçencës së energjisë, reduktimi i varësisë në importet energjetike, ndërsa njëkohësisht rritja e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë është ndër objektivat kyçe të Komunitetit të Energjisë në Evropën Juglindore, duke përfshirë Kosovën.”
Një pjesë e konsiderueshme e asistencës së BE në Kosovë është investuar në rivitalizimin e sektorit të energjisë elektrike, dhe më e rëndësishmja, më shumë se €20 milion janë shpenzuar në rritjen e efiçencës së energjisë dhe €10 milion të tjera janë paraparë për Fondin për Efiçencë të Energjisë.
Gjatë viteve 2011-15, BE ka bashkuar forcat me BERZH për implementimin e Projektit për Energji të Qëndrueshme në Kosovë (KOSEP) përmes një mekanizmi të kombinuar në të cilin BE ka kontribuar me grant prej €3 milion ndërsa BERZH me financim prej €12 milion. Qëllimi i këtij projekti ka qenë realizimi i investimeve në efiçencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme të energjisë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe në sektorin e amvisërive.
KrK është themeluar në vitin 2000 dhe ofron financim për individët me të ardhura të ulëta në zonat rurale dhe urbane të Kosovës, KrK ka prioritet sektorin e bujqësisë, mirëpo gjithashtu ofron financim për aktivitete të tjera ekonomike përmes rrjetit prej 22 degëve në tërë territorin e Kosovës.
KrK është bërë partner i BERZH në vitin 2012 kur Banka kishte ofruar një linjë kreditore për ndërmarrjet e vogla. Një vit me vonë, KrK ishte bërë pjesë e KOSEP, dhe deri më tani ka kredituar €3 milion në mbështetje të rritjes së efiçencës së energjisë.
Lulzim Sadrija, Kryeshef Ekzekutiv në KrK tha: “Për ne është kënaqësi që të jemi klient i BERZH dhe të përfitojmë nga kjo kredi e re prej €2 milion për mbështetjen e mëtutjeshme të klientëve tanë me kredi për investime të gjelbra që kanë për qëllim rritjen e efiçiencës dhe kursimin e energjisë.” BERZH ka lancuar GET në vitin 2015. Bazuar në një dekadë të investimeve të gjelbra të suksesshme, përmes kësaj qasje bëhen përpjekje për rritjen e volumit të financimit të gjelbër nga mesatarja prej 24 përqind e investimeve vjetore afariste të BERZH në 10 vitet e fundit deri në vitin 2016, deri në 40 përqind deri në vitin 2020.
BERZH ka investuar më shumë se €225 milion në 51 projekte në Kosovë. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i përfshirjes, ekonomia e gjelbër, qëndrueshmëria ekonomike dhe integrimet rajonale. Shumica e investimeve të Bankës janë në sektorin privat.