Banka TEB, si partner i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në implementimin e Programit GEFF, ka mbjellur 210 fidane në katër qytete të Kosovës për ta shënuar 5 qershorin – Ditën Botërore të Mjedisit.
Në aktivitetin kryesor i cili u mbajt në Prishtinë pjesëmarrës ishin drejtues të bankës, përfaqësues nga EBRD GEFF, Komuna e Prishtinës dhe të Bashkimit Evropian, si donatori kryesor i granteve për programin GEFF.
Secili fidan mban emrin e personit i cili ka marrë Kredi të Gjelbër në TEB dhe kështu ka ndihmuar në ruajtjen e mjedisit jetësor. Komunat përkatëse kanë bërë të mundur sigurimin e hapësirave të nevojshme për fidanet, kurse Banka TEB jua ka bërë dhuratë fidanet klientëve të saj. Me shpresë që këto fidane të shtohen në të ardhmen dhe secili nga ne do të ndihmojë në reduktimin e ndotjes së ajrit.
Nëntëdhjetë e dy përqind e njerëzve në mbarë botën nuk frymojnë ajër të pastër dhe ndotja e ajrit godet vendet e Ballkanit si edhe Kosovën. Financimi i BERZH-it për Ekonominë e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor (EBRD GEFF) ka si qëllim mbrojtjen e mjedisit duke përdorur në mënyra sa më efikase energjinë. Banka TEB si partner i BERZH ofron financim për investime në produkte me eficiencë të lartë të energjisë për sektorin rezidencial me grant nga BE deri në 20% të vlerës së kredisë të pranueshme për investime.
Dita botërore e Mjedisit është dita e Kombeve të Bashkuara për inkurajimin e ndërgjegjësimit dhe veprimit në mbarë botën për ta mbrojtur mjedisin tonë. Tema e këtij viti i kushtohet ndotjes së ajrit.
“Deri më sot, Programi GEFF i BERZH ka siguruar mbi 8 milionë euro investime për projekte individuale që kontribuan në kursimin e mbi 7 milionë kWh energji dhe mbi 2.5 milionë kg emisioneve CO2 në vit. Me krenari mund të themi që GEFF po bën ndryshimin, kursimet janë ekuivalente me konsumin e energjisë të rreth 500 familjeve ose 1.600 makina të larguara nga rrugët çdo vit” – u shpreh Arian Lila, menaxher për marrëdhëniet me institucionet financiare në EBRD GEFF.
Çdo familje mund të kontribuojë në këtë sfidë mbarëbotërore duke konsumuar energji në mënyrë efikase. Duke aplikuar për Kredi të Gjelbër në Bankën TEB, për teknologji eficiente ndaj energjisë, siç janë dritaret dhe dyert eficiente, sistemet e ngrohjes / ftohjes dhe sistemet e izolimit, familjet mund të ulin ndjeshëm konsumin e tyre të energjisë, dhe në këtë mënyrë do t’i ulin edhe faturat e energjisë.