Programi GEFF në Ballkanin Perëndimor u prezantua në Festivalin e Gjelbër 2019 nën “BERZH për Ekonomi të Gjelbër”, organizuar në Prishtinë në tetor, 2019.
Festivali i Gjelbër është i vetmi panair në Kosovë që bën bashkë bizneset e gjelbërta të Kosovës dhe projektet e tjera relevante. Festivali i Gjelbër organizohet çdo vit për t’i promovuar bizneset e gjelbra të Kosovës dhe për ta ngritur vetëdijen dhe interesimin për efiçiencë të energjisë, energji të ripërtëritshme dhe riciklim të materialeve. Në festival u ekspozuan 47 biznese të cilët promovuan produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër. Duke filluar nga ky vit, Festivali i Gjelbër do të organizohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
Programi GEFF në Ballkanin Perëndimor së bashku me Programin për Mbështetjen e Konkurueshmërisë në Kosovë morën pjesë nën emrin “BERZH për Ekonomi të Gjelbër”.
Udhëheqësi i BERZH-it në Kosovë, z. Neil Taylor, hapi panelin e diskutimit “EBRD në Kosovë: implementimi i zgjidhjeve të gjelbërta për shtëpitë, bizneset dhe qytetet”. Ai ftoi sektorin e biznesit të ndërmarrë veprime duke thënë: “Ne kemi nevojë ta bashkojmë sektorin privat për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe sfidat mjedisore në Kosovë”.
Për më tepër, Arian Lila, Menaxheri i Marrëdhënieve me institucionet partnere financiare në WB GEFF, prezantoi projektin dhe theksoi nevojën që pronarët e shtëpive të investojnë në teknologji eficiente ndaj energjisë: “Deri më tani, mbi 11 milion Euro janë investuar në sektorin e banimit në vendet tona të operimit që kanë kontribuar në kursimin e mbi 10 milion kWh energji dhe shmangien e mbi 3.6 milion kg emetimeve të CO2 në vit. Kjo është e barabartë me eliminimin e 2,305 veturave nga rrugët çdo vit.”
TEB Banka, një nga partnerët financiarë të EBRD WB GEFF, ishte gjithashtu një sponsor i Festivalit të Gjelbër. Ata prezantuan rezultatet e shkëlqyera të kredive të gjelbërta në Forumet e Gjelbërta.
GEFF në Ballkanin Perëndimor zbatohet në kuadrin e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor (REEP Plus), i financuar nga Unioni Europian, dhe i realizuar në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Programi i Bashkëpunimit Teknik në kuadër të Projektit mbështetet nga Ministria Federale e Financave të Austrisë dhe Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.