Dita Botërore e Mjedisit shënon një hap të suksesshëm të projektit për të përmirësuar efiçiencën e energjisë
5 qershor 2019. – Dita Botërore e Mjedisit është një rast i përsosur sot për të përsëritur nevojën urgjente për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të nxjerrë në pah shembuj të suksesshëm. Programi i BERZH për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor (WB GEFF) ka si qëllim mbrojtjen e mjedisit përmes përdorimit më të mirë dhe më efiçient të energjisë. Deri më sot, janë mundësuar 8 milionë euro investime për projekte individuale që kanë kontribuar në kursimin e mbi 7 milionë kWh energji dhe mbi 2,5 milionë kg emetime të CO2 në vit.
Tema e sivjetshme e Ditës Botërore të Mjedisit është ndotja e ajrit. Këtu WB GEFF është me të vërtetë duke bërë një ndryshim: Kursimet janë ekuivalente me konsumin e energjisë për ngrohjen e mbi 500 familjeve ose 1.600 makina të larguara nga rrugët çdo vit.
Nëntëdhjetë e dy përqind e njerëzve në mbarë botën nuk frymojnë ajër të pastër dhe ndotja e ajrit godet akoma më rëndë vendet në rajonin e Ballkanit. Dita Botërore e Mjedisit 2019 u bën thirrje bizneseve, komuniteteve dhe individëve të bashkohen së bashku për të eksploruar energjitë e rinovueshme dhe teknologjitë e gjelbërta që mund të përmirësojnë cilësinë e ajrit në të gjithë botën.
BERZH punon duke angazhuar komunitetin lokal. Përmes institucioneve partnere financiare lokale, programi siguron fonde për investime në produkte shumë efiçiente ndaj energjisë, për sektorin rezidencial, me një grant nga BE- ja deri në 20%. Grantet janë të disponueshme sapo klienti zgjedh teknologjitë e tyre nga Selektori i Teknologjisë, blen produktet e tyre dhe BERZH verifikon investimin.
Çdo familje mund të kontribuojë duke konsumuar energji në mënyrë më efiçiente. Kjo ndihmon në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Duke përdorur zgjidhje efiçiente ndaj energjisë, siç janë dritaret dhe dyert moderne, sistemet e ngrohjes/ftohjes dhe sistemet e përdorura për izolim, familjet mund të ulin ndjeshëm gjurmët e tyre të karbonit, ndërsa në të njëjtën kohë të arrijnë kursime të konsiderueshme.
Edhe pse WB GEFF operon prej një viti e gjysëm, programi tashmë ka mbështetur pothuajse 1.500 familje në Ballkanin Perëndimor, duke demonstruar kërkesën e madhe për kreditimin e gjelbërt.
Në përpjekje për të siguruar informata mbi teknologjitë me efiçiencë energjetike të disponueshme për sektorin rezidencial, Programi ka përdorur me sukses Selektorin e Teknologjisë, një platformë inovative e BERZH dhe shumë e përshtatshme për përdorim. Kjo platformë online liston mbi 18.000 produkte me efikasitet të lartë energjetik të para-aprovuara për financim nga 13 kategori, të ofruara nga pothuajse 4.500 tregtarë në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe këto numra rriten çdo muaj.
Meqë WB GEFF është programi i parë i BERZH për efiçiencën e energjisë kushtuar familjeve në Ballkanin Perëndimor, këto rezultate pozitive janë një moment i rëndësishëm për tu shënuar në Ditën Botërore të Mjedisit.
EBRD GEFF u mundësua me mbështetjen e Bashkimit Europian (BE), Ministrisë së Financave të Austrisë (BMF) dhe Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë (ECS).