GEFF-Programi i BERZH ishte i pranishëm në Javën e Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila u organizua në Prishtinë, në datat 16 – 22 shtator 2019 për të përkrahur Efiçiencën e Energjisë.
Efiçienca e Energjisë ishte një ndër prioritetet kryesore të KSDW’19. Dita e tretë e kësaj ngjarje të rëndësishme mblodhi së bashku të gjithë aktorët nga pushteti kombëtar dhe lokal, shoqëria civile, bashkësia ndërkombëtare dhe sektori privat.
Folësi kryesor për panelin e Efiçiencës së Energjisë, David Oberhuber nga GIZ Kosova theksoi se partneri më i rëndësishëm sot është sektori privat. Arian Lila, Menaxheri i Marrëdhënieve me Institucionet Financiare Partnere të GEFF në Kosovë prezantoi rëndësinë e Programit dhe rezultatet e tij të deritanishme:
“Deri më tani janë mundësuar më tepër se 10 milionë euro investime për projekte individuale që kanë kontribuar në kursimin e mbi 9 milionë kWh energji dhe mbi 3.3 milionë kg emetime të CO2 në vit. GEFF në Kosovë është pjesë e GEFF në Ballkanin Perëndimor për të cilin BERZH ka dedikuar 85 milion Euro për teknologji efikase të energjisë.”
Z. Lila ftoi bizneset që ofrojnë produkte efiçiente në treg të mësojnë se si kolegët e tyre kanë fituar 3,4 milion Euro nga programi deri më tani. GEFF është i hapur për të mirëpritur të gjitha produktet efiçiente me cilësi të lartë dhe shitësit që shesin produkte të tilla. Po ashtu, u theksua edhe granti deri në 20% i mundësuar nga Bashkimi Europian për të stimuluar familjet në Kosovë për të zgjedhur produkte efiçiente.
GEFF në Ballkanin Perëndimor zbatohet në kuadrin e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor (REEP Plus), i financuar nga Unioni Europian, dhe i realizuar në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Programi i Bashkëpunimit Teknik në kuadër të Programit mbështetet nga Ministria Federale e Financave të Austrisë dhe Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.