Programi Kreditor për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Ballkanin Perëndimor siguron financim për sektorin e banimit si dhe për bizneset që ofrojnë produkte të efiçensës së energjisë, produkte të energjisë së ripërtëritshme si dhe shërbime për individët. Vëllimi i përgjithshëm i linjës kreditore në Ballkanin Perëndimor, domethënë në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, është 85 milionë euro.
GEFF në Ballkanin Perëndimor zbatohet në kuadrin e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor (REEP Plus), mbështetur me grante nga Bashkimi Europian, Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ministria Federale e Financave të Austrisë. Bashkëpunimi me donatorët është thelbësor për promovimin e teknologjive të gjelbërta dhe praktikave me performancë të lartë. Donatorët ofrojnë mbështetje kritike për projektet e GEFF, që lehtësojnë ose krijojnë qëndrueshmëri ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe kërcënimeve të tjera mjedisore.
Partnerët
Financimi i GEFF realizohet nëpërmjet Institucioneve Financiare partnere të programit, të cilët e përdorin kredinë për financimin e huamarrësve të përshtatshëm që duan të investojnë në projektet që përfshihen në këtë program.