BERZH do të japë një kredi prej 1.5 milion Euro për Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK), që është institucioni i katërt më i madh mikrofinanciar në vend, me qëllim të rritjes së financimit për ekonominë e gjelbërt.
Këto fonde më pas do të jepen në formë të kredive nga AFK për investime në teknologji për efiçencë të energjisë me performancë të lartë, materiale dhe zgjidhje për ndërtesa të banimit. Qëllimi është që të reduktohet intensiteti energjetik dhe përmirësimi i efiçencës së energjisë sipas qasjes së BERZH për Tranzicionin në Ekonominë e Gjelbër (Green Energy Transition – GET). Përmes këtyre investimeve, amvisëritë jo vetëm që do të bëhen më efiçence në shfrytëzimin e energjisë, mirëpo gjithashtu do të ulin emetimin e gazrave serë, duke reduktuar ndikimin në mjedis.
Kjo kredi është dhënë në kuadër të Mekanizimit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (Green Economy Financing Facility – GEFF) për Ballkanin Perëndimor, mekanizëm rajonal i krijuar për mbështetjen e investimeve të efiçencës së energjisë në sektorin rezidencial të Ballkanit Perëndimor. Ky mekanizëm mbështetet nga financimi në formë të granteve nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian (BE) dhe Austria.
Nick Tesseyman, Drejtor Menaxhues i BERZH për Institucione Financiare tha: “Kjo është një kredi e rëndësishme për ne dhe për Kosovën, pasi që do të rrisë bazën për investime të gjelbra në një fushë kyçe. Sektori i ndërtimit të shtëpive në Kosovë ka shumë hapësirë për përmirësim të efiçencës së energjisë dhe burimeve andaj investimet në këtë fushë janë shumë të rëndësishme. Me angazhimin aktiv të partnerit tonë vendor, ne jemi të bindur që do të arrijmë progres të konsiderueshëm dhe rezultate të prekshme brenda një periudhe të shkurtër.”
AFK është krijuar në vitin 2000 dhe ofron financim për ndërmarrjet mikro dhe të vogla në Kosovë, posaçërisht në zonat rurale. AFK shërben tërë territorin e Kosovës përmes rrjetit prej 20 degëve.
Vahdet Anadolli, Kryeshef Ekzekutiv në AFK tha: “Në bashkëpunim me BERZH, AFK tashmë ka implementuar me sukses projektin KOSEP. Tani, përmes kësaj kredie shtesë nga GEFF, AFK do të mund të promovojë më tutje objektivat e saj sociale dhe mjedisore përmes mbështetjes financiare të projekteve të vogla për efiçencë të energjisë në Kosovë.”
Gjatë viteve 2011-15 BE kishte bashkuar forcat me BERZH për implementimin e Projektit për Energji të Qëndrueshme në Kosovë (KOSEP) përmes një mekanizmi të kombinuar që përbëhej nga një grant i BE prej 3 milion Euro dhe financim nga BERZH në vlerë prej 12 milion Euro. Qëllimi i këtij projekti ka qenë implementimi i investimeve për efiçencë të energjisë dhe energji të ripërtritshme në ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe në sektorin e amvisërisë.
Një pjesë e konsiderueshme e asistencës së BE në Kosovë është investuar në revitalizimin e sektorit të energjisë elektrike, dhe më me rëndësi, mbi 20 milion Euro janë shpenzuar në rritjen e efiçencës së energjisë dhe 10 milion Euro të tjera janë paraparë për mbështetjen e Fondit për Efiçencën e Energjisë.
Gjithashtu, në kuadër të Programit Rajonal për Efiçencë të Energjisë, të financuar nga BE dhe të implementuar në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, BERZH ka mbështetur Kosovën për fuqizimin e ligjeve, politikave dhe standardeve që krijojnë tregun e bazuar në kërkesë për efiçencë të energjisë në ndërtesa.
Luigi Brusa, Udhëheqës i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE në Kosovë tha: “BE ka për qëllim të mbështes Kosovën në zhvillimin e kornizës ligjore dhe të politikave për tërheqjen e investimeve në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme. Krijimi i fondit për efiçiencë të energjisë është kyç për rritjen e investimeve në efiçencë të energjisë dhe arritjen e cakut shtetëror. Ka potencial të madh për përmirësimin e efiçencës së energjisë në sektorin publik dhe rezidencial, prandaj mekanizmat e financimit janë të nevojshëm për mbështetjen e qeverisë qendrore dhe lokale për përmirësimin e situatës.”
Mekanizimi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër Rezidenciale në Ballkanin Perëndimor është krijuar në vitin 2017 me një vlerë fillestare prej 85 milion Euro për investime në ekonomi të gjelbër në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, IRJ Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Institucionet financiare partnere do të marrin linja kreditore nga BERZH për kreditim të mëtutjeshëm për financimin e investimeve të vogla për efiçencë të energjisë.
Në Kosovë, BERZH ka investuar më shumë se 300 milion Euro në 55 projekte deri më tani. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i përfshirjes, ekonomia e gjelbër, qëndrueshmëria ekonomike dhe integrimet rajonale.