Instrumenti i ri i financimit do të mbështesë investimet në teknologjinë e gjelbër në bashkëpunim me bankat lokale
Qytetarët që jetojnë në ndërtesa private dhe komunitare në Shqipëri do të përfitojnë nga një akses me i gjerë në financim për projekte të ruajtjes energjitike falë Programit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) i lançuar sot nga BERZH.
GEFF në Shqipëri ka si qëllim të zvogëlojë përdorimin e energjisë në sektorin e banesave, të ulë ndotjen e ajrit dhe të përmirësojë komoditetin e jetesës nëpërmjet kësaj huaje tek bankat partnere për të mbështetur investimet në teknologjinë e gjelbër. Union Bank dhe Fondi BESA janë dy institucionet e para financiare që iu bashkuan këtij programi, duke nënshkruar linja krediti me vlerën 9 milion euro së bashku.
Pronarët e banesave në Shqipëri mund të zgjedhin dhe se në cilat teknologji të investojnë, duke përdorur Selektorin e Teknologjisë, një katalog online i produkteve dhe pajisjeve të para aprovuara për efiçencën energjitike që gjenden në tregun shqiptar. Katalogu përfshin produkte të tilla si izolues termik, dritare me dopio-xham, kaldaja me efikasitet të lartë, pompat e nxehtësisë, kolektorët diellorë / panele diellore të ujit ngrohtë dhe sistemet fotovoltaike.
Nëpërmjet këtyre investimeve, pronarët e banesave do të kenë mundësi të aplikojnë për një grant të Bashkimit Europian deri në 20% të vlerës së investimit të tyre. Në total, BE ka dedikuar mbi 1,8 milion euro për grante për programin GEFF. Tregtuesit dhe prodhuesit e produkteve të efiçencës së energjisë për sektorin rezidencial munden gjithashtu të marrin financim nën programin GEFF. Përveç kësaj, programi do të mundësojë asistencë teknike të financuar nga Ministria Federale e Financave Austriake, përfshirë këtu dhe auditim energjitik për rinovimin e godinave rezidenciale.
Sot, ky event lançues në Tiranë, solli bashkë palët e interesuara të programit GEFF, duke përfshirë Matteo Colangeli, Drejtor i BERZH në Shqipëri, Luigi Soreca, Ambasador i BE-së në Shqipëri, Erjon Luçi, Zv. Ministër i Financës dhe Ekonomisë, Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Leander Treppel, Anëtar i Bordit i BERZH për Austrinë, donatorë të tjerë, përfaqësues të qeverisë lokale, institucione financiare partnere, prodhues dhe shpërndarës të teknologjisë së gjelbër për sektorin rezidencial.
GEFF në Shqipëri është pjesë e programit prej 85 milion euro i Programit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër të BERZH për Ballkanin Perëndimor. Programi është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Europian dhe Ministrisë Federale të Financave Austriake dhe vëndeve pjesëmarrëse në Programin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). GEFF implementohet nën Programin Rajonal për Efiçencën Energjitike për Ballkanin Perëndimor (REEP Plus), financuar nga BE dhe e implementuar në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit te Energjisë. REEP Plus ka dhënë gjithashtu mbështetjen e saj për harmonizimin e ligjit vendas për efiçencën e energjisë dhe rregulloreve për efiçencën energjitike në ndërtesa rezidenciale, sipas Direktivave Europiane përkatëse.
Mbështetja e BERZH për investime në energjinë e gjelbër vjen si pasojë e përkushtimit të saj për objektivat e nënshkruara gjatë Marrëveshjes së Parisit në vitin 2015. Si rrjedhojë. BERZH synon t’i dedikojë 40 për qind të investimeve të saj vjetore ekonomisë së gjelbër deri në vitin 2020.
BERZH është investitor i huaj lider në Shqipëri. Deri më sot, Banka ka investuar 1.288 miliard Euro nëpërmjet 87 projekteve të saj në vend.
Për më shumë informacione për GEFF në Shqipëri, shiko ebrdgeff.com/albania/